Print

A është e ndaluar t’i veshim fëmijëve veshje me fotografi?

Written by hoxhë Omer Berisha. Posted in Fëmijët

Pyetje: A është e ndaluar t’i veshim fëmijëve veshje me fotografi, po ashtu edhe shtrojat, perdet për fëmijë të cilat janë të gjitha me foto si p.sh foto kukullash ose të ndonjë gjallese. A është e ndaluar të përdoren këto për fëmijë sepse çdo veshje, çdo send që blejmë për femijë ka një foto të tillë, është vështirë të gjnden gjëra pa foto për femijë. selam alejkum .

Përgjigje:

Allahun e lus që të na lehtësojë rrugën e xhenetit dhe të na mundësojë tu ikim ndalesave të tij aq sa kemi mundësi.

Së pari: Nuk lejohet veshja e rrobave që kanë imazhe të kafshëve apo të njerëzve, për shkak të hadithit që e shënojnë Buhariu (3226) dhe Muslimi (2106) nga Ebu Talha, radijallahu anhu, se Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Melaqet nuk hyjnë në atë shtëpi ku ka imazh”.

Dijetarin Muhamed ibën Uthejmin e kanë pyetur: A lejohet t’i veshim fëmijëve rroba ku gjenden imazhe të frymorëve?

Ai dha këtë përgjigje: Ulematë thonë: “Ndalohet t’i vishet fëmijës ajo që ndalohet ta veshë i rrituri, ato rroba me imazhe i rrituri e ka haram t’i veshë kështu që veshja e të njëjtave fëmijëve është haram gjithashtu. Muslimanët duhet t’i bojkotojnë ato lloj rroba dhe këpucë me qëllim që të këqijtë mos të futen te ne nga këto anë” (Mexhmuul Fetava Shejh Ibën Uthejmin 12/333).

Së dyti: Shtrojat për krevate, perdet e kështu me radhë duhet të kenë të njëjtën dispozitë, për shkak se edhe ato pengojnë hyrjen e melaqeve në shtëpitë tona, përveç nëse janë shtroja ku i fshijmë këpucët apo janë të nënçmuara në forma tjera, atëherë nuk prishë punë inshallah.

Së treti: E jona si besimtarë është që kur ta kuptojmë një ndalesë apo urdhëresë ta praktikojmë aq sa kemi mundësi. Në rastin konkret, ne nuk duam t’i largojmë melaqet nga shtëpitë tona, prandaj duhet të përpiqemi që fëmijëve tanë tu gjejme garderobë të përshtatshme me ligjin e Allahut, t’ua zbukurojmë dhomat me zbukurime të lejuara, edhe nëse për këtë duhet të lodhemi për të kërkuar shitore ku mund të blejë gjëra të përshtatshme.

Allahu na ndihmoftë të gjithëve!