Drucken

Si falet namazi i vitrit?

Geschrieben von hoxhë Omer Berisha. Veröffentlicht in Namazi

Pyetje: Si falet namazi i vitrit? M’i intereson me argumente dhe sipas medhhebit hanefi!

Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut ndërsa lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Muhamedin...

Namazi i vitrit është sunet i fortë, koha e tij fillon pasi të jetë kryer namazi i jacisë, më së paku lejohet të falet një reqat por më e mira është të falet tre, pesë apo shtatë reqate; nëse falet tre reqate nuk guxon t’i ngjajë namazit të akshamit por duhet të falet tre reqate pa e lexuar Teshehhudin në reqatin e dytë ose le t’i falë dy, jep selam e pastaj le ta falë edhe një reqat. Namazi i vitrit sikurse gjithë namazet vullnetare lejohet të falet ulur apo hipur në mjet transporti.

Kurse sipas medhhebit hanefi falja e namazit të vitrit bëhet kështu: I falë tre reqate, duke bërë ulje në reqatin e dytë, ku lexon edhe Teshehhudin, ndërsa selam jep në fund të tretit. Në reqatin e parë e lexon Fatihanë dhe suren Aëla, në të dytin Fatihanë dhe el-Kafirun ndërsa në të tretin Fatihanë dhe Ihlasin. Pastaj, kur ta përfundojë leximin e Ihlasit thotë “Allahu Ekber” gjersa qëndron në këmbë dhe e lexon duanë e kunutit: “Allahumme inna nesteinuke ue nestegfiruke ue nuthni alejkel hajra kul’lehu ue la nekfuruke, ue nehleu ue netruku men jefxhuruke. Allahumme ijjake nabudu, ue leke nusal’li ue nesxhudu, ue ilejke nesa ue nahfid, nerxhu rahmeteke ue nehsha adhabeke, inne adhabeke bil kuffari mulhik”; pastaj bie në ruku dhe e plotëson namazin siç plotësohet.

Argumenti për atë se ky namaz falet me një selam është ajo që përcjellë nëna Ajshe, radijallahu anha: “Resulullahu, alejhi salatu ue selam e falte vitrin tre reqate dhe nuk jepte selam përveçse në fund”.[1] Duke u mbështetur në këtë hadith – sipas medhhebit – nuk lejohet të falet vitri më pak se tre reqate.

Megjithëse te shumica e dijetarëve, namazi i vitrit është Sunne Muekkede (sunet i fortë) te medhhebi hanefi, ai është vaxhib, prandaj nuk e lejojnë ta falë ulur si dhe e detyrojnë ta falë kaza nëse nuk e falë me kohë.

Sidoqoftë, muslimani e ka farz të punojë sipas Kuranit dhe Sunetit dhe jo të ndjekë një medhheb të caktuar me fanatizëm apo mendimin e ndonjë dijetari sado që i madh dhe i nderuar të jetë, nëse argumentet japin të mësojmë të kundërtën e atij mendimi.

Le t’i vërejmë argumentet pra nga e para:

Argumentet se namazi i vitrit nuk është vaxhib por sunet i fortë janë:

1. Një beduin erdhi te i Dërguari që ta pyesë rreth Islamit dhe tha: o Resulullah, më trego cilat namaze Allahu i ka bërë detyrim? “Pesë namazet, përveç nëse do të tjera vullnetare” – i tha Pejgamberi. Në hadith tregohet se beduini tha: “Pasha Allahun, nuk do të shtoj më shumë se ato pesë e as nuk do të pakësoj” ndërsa Pejgamberi tha: “Ka shpëtuar nëse e zbaton (atë që tha)[2]. Siç vërehet qartë, Pejgamberi nuk i përmendi namaz tjetër përveç pesë namazeve dhe tha që nëse vetëm ato i falë do të shpëtojë dhe do hyjë në xhenet, e sikurse edhe namazi i vitrit të ishte detyrim, atëherë gjithsesi do t’ia përmendte beduinit ngase Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, nuk harron t’i shpjegojë çështjet e fesë.

2. Ali ibën Ebu Talibi, radijallahu anhu ka thënë: “Namazi i vitrit nuk është detyrim dhe as nuk është sikurse namazet farze, porse i Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem, e ka falë vitrin dhe ka thënë: Faleni vitrin o ju që besoni Kuranin, sepse Allahu është tek dhe e do tekun (vitrin).[3]

Argumenti se lejohet që vitri të falet një reqat:

1. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Vitri është një reqat në fund të natës”.[4]

2.Përcillet në Dy Sahihët dhe në libra tjerë se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Namazi i natës është dy nga dy, e nëse ke frikë (hyrjen e kohës së) sabahun atëherë fale vitrin një reqat”.[5]

Argumenti se nuk lejohet q ë namazi i vitrit t’i ngjajë namazit të akshamit:

“Mos e falni vitrin tre reqate ngjashëm me akshamin, por bëjeni vitrin pesë, shtatë...”.[6] Ky hadith nuk është në kundërshtim me hadithin që përmendëm në fillim: “Resulullahu, alejhi salatu ue selam e falte vitrin tre reqate dhe nuk jepte selam përveçse në fund”, sepse këtu nuk përmendet që e ka lexuar Teshehhudin në reqatin e dytë d.m.th. e falte vitrin tre reqate me një selam, por vetëm me një ulje dhe jo me dy, siç është akshami.

Në këtë mënyrë nxirret kuptimi i vërtetë nga hadithet dhe kësisoj i zbatojmë të dy hadithet duke mos u detyruar ta shpërfillim asnjë argument.

Argumenti se nuk është e domosdoshme që vitri të falet në këmbë:

Ibën Omeri, radijallahu anhu, e falte vitrin i hipur mbi deve dhe tregonte se I Dërguari, alejhi salatu ue selam, vepronte njëlloj.[7]

Argumentet për format e namazit të vitrit:

Forma e parë: T’i falë tre reqate me një teshehhud dhe me një selam, për të cilin argumenton hadithi nga Ajsheja, radijallahu anha: “Resulullahu, alejhi salatu ue selam e falte vitrin tre reqate dhe nuk jepte selam përveçse në fund”; duke pasur parasysh këtu sqarimin që bëmë te argumenti se namazi i vitrit nuk lejohet t’i ngjajë namazit të akshamit.

Forma e dytë: Të jep selam në fund të dy reqateve e pastaj ta falë edhe një. Përcillet se Ibën Omeri, radijallahu anhu, i ndante dy reqatet e para nga i fundit në vitër me një selam dhe tregonte se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, vepronte ashtu.[8]

Nëse i falë pesë apo shtatë reqate, i falë të gjitha një pas një, pa bërë asnjë ulje përveçse në fund të reqatit të pestë apo të shtatë, ku thotë Teshehhudin dhe jep selam. Argument është kjo që përcjellë nëna Ajshe: “Resulullahu, sal-lallahu alejhi ue selem, falte natën trembëdhjetë reqate. Vitrin e falte pesë reqate duke mos u ulur përveçse në fund”.[9] Gjithashtu Umu Seleme përcjellë se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem falte vitrin pesë reqate dhe shtatë reqate duke mos i ndarë ato reqate me selam e as me bisedë.[10]

Nëse i falë nëntë reqate, atëherë i falë një pas një tetë reqate dhe në të tetin ulet për të lexuar Teshehhudin por nuk jep selam, që të vazhdojë në reqatin e nëntë dhe në fund të tij jep selam. Argument për këtë është ajo që përcjellë Ajsha: “Pejgamberi falte nëntë reqate dhe nuk ulej përveçse në të tetin, ku e përmendte Allahun, e lavdëronte dhe e luste e pastaj ngrihej pa dhënë selem dhe e falte reqatin e nëntë. Pastaj ulej dhe e përmendte Allahun, e lavdëronte dhe e luste e pastaj jepte selam me zë që ta dëgjojmë.”[11]

Nëse i falë njëmbëdhjetë reqate, atëherë jep selam në çdo dy reqate, kurse e përfundon me një reqat veçmas në fund.

Argumenti se cilat sure është e pëlqyer t’i lexojmë:

Ubej ibën Kabi, radijallahu anhu, ka thënë: “Resulullahu, sal-lallahu alejhi ue selem, në namazin e vitrit lexonte Sebbihisme rabbikel ala; Kul ja ejjuhel kafirun dhe Kul huvellahu ehad”.[12]

Duaja e kunutit

Duaja e kunutit thuhet në reqatin e fundit të vitrit dhe lejohet të bëhet para rukusë dhe pas rukusë[13].

Është e pëlqyer të ngrihen duart dhe të thuhet lutja që është transmetuar nga Hasan ibën Alij, radijallahu anhuma, i cili ka thënë: “Resulullahu, sal-lallahu alejhi ue selem, m’i ka mësuar disa fjalë që t’i them në kunutin e namazit të vitrit: Allahume ihdini fimen hedejte, ue afini fimen afejte, ue tevel’leni fimen tevel’lejte, ue barik li fima eëtajte, ue kini sherre ma kadajte, feinneke tekdi ue la jukda alejke, ue innehu la jedhil’lu men valejte ue jeizzu men adejte, tebarakte rabbena ue tealejte”.[14]

Pas selamit është e pëlqyer të thotë: “Subhanel melikil kuddus, subhanel melikil kuddus, subhanel melikil kuddus rabbil melaiketi ue ruh”.[15]

Nëse praktikimi i gjërave të pëlqyera që i përmendëm këtu bëhet problematik dhe shkak për ftohje të zemrave në ndonjë shoqëri, e sidomos gjatë Ramazanit në xhami, atëherë mospraktikimi i të pëlqyerave është e pëlqyer. Allahu e di më së miri.



[1] El-Ajni në librin Umdetul Kari 5/7 për këtë hadith thotë: Sahih.

[2] Sahihul Buhari nr. 1891

[3] Sahih Ibën Maxhe nr. 967

[4] Sahihu Muslim nr. 752

[5] Sahihul Buhari nr. 1137; Sahihu Muslim nr. 749

[6] Ibën Haxheri në Fet’hul Bari 2/558 thotë se ky hadith është i vërtetë sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit; Fejruz Abadi në librin Seferu Seade nr. 75 thotë se zinxhiri i këtij hadithi është sahih; Dhehebiu në librin el-Muhedheb 2/963 thotë: zinxhirin e ka të fortë; Ibën Kajimi në librin Elamul Muvekkiin 2/272 thotë: ky hadith ka hadithe dëshmuese (shahid) me zinxhir sahih; etj.

[7] Sahihu Nesai nr. 1686

[8] Ahmed Shakiri në Musnedin e Ahmedit 7/230 thotë: zinxhir i tij është sahih.

[9] Sahihu Muslim nr. 737

[10] Sahihu Nesai nr. 1713

[11] Sahihu Muslim nr. 746

[12] Sahihu Nesai nr. 1729

[13] Mexhmuu Fetava Ibën Tejmije 23/100

[14] Ebu Davud nr. 1425; Tirmidhi nr. 464.

[15] Nesai nr. 1699